PRESS RELEASE TIFF 2012
Print

PRESS RELEASE TIFF 2012

TIFF do të hapet mbrëmjen e 23 nëntorit me Programin Special “Reflecting Albania”, program që prej dhjetë vjetësh në festival i kushtohet filmave të prodhuar nga të huajt për Shqipërinë. Do të jetë filmi dokumentar “La Nave Dolce”, bashkëprodhim italo-shqiptar, fitues i çmimit “Francesco Pasinetti”, si filmi më i mirë i prezantuar në Festivalin e fundit në Venecia, që do hapë siparin e TIFF 2012 në Kinema Millennium. Do të jenë prezent në premierën ballkanike të këtij filmi regjisori Daniele Vicari, skenaristja Antonella Gaetta dhe Kledi Kadiu, dëshmitar okular në udhëtimin e anijes me sheqer.

Konkurrimi në TIFF do të fillojë në 24 nëntor në Imperial Cinemas-Sheraton me kategorinë e FILMAVE ME METRAZH TË GJATË deri në datë 27 nëntor, ditë kur do të shpallen fituesit në këtë kategori me 8 filma. Juria ndërkombëtare që do të vlerësojë filmat e kësaj kategorie përbëhet nga: Vladimir Blazevski, regjisor (Maqedoni), fitues i TIFF 2011 me filmin “Punk’s Not Dead”; Marian Tutui, murator e filmologjist në Cinematekën e Rumanisë; Massimo Forleo, Drejtor Artistik në RAI.

Në datën 28 nëntor është vendosur të projektojmë vetëm FILMAT NË SHQIP, që bëjnë pjesë në këtë kategori prej 25 filmash dhe fituesit do shpallen në mbrëmjen e 28 nëntorit nga një juri e përbërë nga: Robert Aliaj Dragot, artist: Koloreto Cukali, skenarist; Kast Hasa, regjisor, fitues i kësaj kategorie në TIFF 2011.

Gjithashtu në kuadrin e festës kombëtare të Pavarësisë kemi menduar të shfaqim për herë të parë për publikun, filmin rumun të vitit 1929 “Hajducii”, ku protagonist kryesor është artisti i njohur Kristaq Antoniu. Ky projeksion special do të mundësohet në bashkëpunim me Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit dhe do shfaqet në sallën e AQSHF-së.

Festivali do të vazhdojë me konkurrimin në kategorinë e FILMAVE TË SHKURTËR me 53 filma në këtë kategori deri në datën 2 dhjetor kur do të shpallen fituesit dhe do të mbyllet TIFF 2012. Kjo juri përbëhet nga Blerta Zeqiri, regjisore (Kosovë), fituese në Sundance dhe Sarajevo Film Festival; Elektra Venaki, studiuese dhe lektore (Greqi); Stefania Casini, regjisore (Itali).

Në kuadrin e Programit Special dhe të 100 vjetorit të lindjes së Michelangelo Antonioni do të kemi tre shfaqje filmash të regjisorit të madh Italian shoqëruar me një film dokumentar të bashkëshortes së tij, Enrica Antonioni, e cila do të jetë prezente në Tiranë së bashku me producentin e Antonionit, Amedeo Pagani.

Në kuadrin rajonal do të shfaqim programin special “RUMANIA – RRYMA E RE”, si një nga kinematë më të mira në botë me dy filma fitues në Festivalin e Kanës.

Këtë program si dhe seminarin me titull “KINEMAJA NË/DHE TOTALITARIZMI” do ta kurojë Z. Marian Tutui, Profesor në Hyperion University, kurator në Arkivin e Filmit Rumun në bashkëpunim me Znj. Eriona Vyshka dhe AQSHF.

Përveç tij, gjatë 10 ditëve të festivalit jubilar të TIFF do të mbahen edhe disa workshop-e si:

ALBANIA FILM COMMISSION”, që trajton problemin e bashkëprodhimit midis vendeve të ndryshme duke u bazuar në ndërthurjen e interesave kinematografike me ato të promovimit territorial dhe turistik, avantazhet në drejtim të punësimit si edhe benefitet e drejtpërdrejta financiare. Roli i pushtetit vendor dhe atij qendror dhe koordinimi i institucioneve midis tyre.

48HOUR FILM PROJECT”, që trajton përfshirjen e të rinjve në prodhimin e filmave me buxhet të ulët.

TË DREJTAT LGBT DHE KINEMAJA”, ku duke marrë shkak nga transmetimi i një filmi me këtë temë, do të diskutohet kinemaja si mjet i mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBT.

Massimiliano Nardulli, Drejtor i Seleksionimit dhe Programimit në Brest Film Festival, Francë, do të sjellë gjatë ditëve të konkurrimit të filmave të shkurtër një program me filmat më të mirë të shkurtër evropianë të dy viteve të fundit.

Elektra Venaki, themeluese e sitit AltCine.com dedikuar kinemasë ballkanike si dhe drejtuese e Festivalit të parë OnLine të Filmit të Shkurtër në Ballkan, do paraqesë para publikut një program special me filma të shkurtër ballkanikë të viteve të fundit.

Si çdo vit, që nga krijimi i tij, TIFF do të japë edhe Çmimin e Medias nëpërmjet jurisë së përbërë nga Maks Velo, artist; Rajmonda Nelku, Pedagoge e Gazetarisë në UT; Ridvan Peshkëpia, studiues, PhD në shkencat politike.

Këtij Çmimi i shtohet edhe Çmimi i Publikut, që pas suksesit të vitit të do të përcillet nëpërmjet votimit në internet.

Me projeksionin special në Kinema Millennium të filmit italian “È Stato Il Figlio” nga Daniele Ciprì, fitues i çmimit si skenari më i mirë në konkurrimin ndërkombëtar të festivalit të fundit në Venecia 2012 dhe me praninë e regjisorit në këtë premierë ballkanike të filmit TIFF 2012 e mbyll për këtë vit edicionin e dhjetë maratonë të tij për të lënë takim në edicionin e ardhshëm.

Për më shumë hollësi rreth këtij aktiviteti, që feston këtë vit edicionin e tij të 10-të, lexoni Programin Ditor të TIFF 2012 dhe NEWS TIFF 2012

http://www.tiranafilmfest.com/images/stories/tiff2012/DAILY_PROGRAM_TIFF_2012.pdf